Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria do të përfitojë 15% më shumë fonde nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, falë rishpërndarjes së fondeve që nuk mund të përthithen nga vendet e tjera të rajonit.
Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, Rama u shpreh se Shqipëria po ecën me ritme të mira në zbatimin e Planit të Rritjes, ndërsa theksoi rëndësinë e reformave dhe integrimit gradual në Tregun e Vetëm Evropian.
“Kanë qenë 48 orë të mbushura me Evropë për Ballkanin Perëndimor: nga Samiti Vjetor BE–Ballkani Perëndimor me BE-në në Bruksel, te Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, në edicionin e saj të dytë në Tiranë, dhe sot, Samiti i Planit të Rritjes, i cili për Shqipërinë po ecën më së miri. Siç e konfirmoi edhe Komisionerja, Shqipëria do të marrë nga Plani edhe 15% më shumë të shumës së saj, në bazë të rishpërndarjes së fondeve që nuk mund të përthithen nga vendet e tjera.
Katër ishin drejtimet kryesore të diskutimit, sepse katër janë edhe drejtimet e punës sonë të madhe. Së pari, reformat, të cilat forcojnë sundimin e ligjit, përmirësojnë qeverisjen dhe krijojnë një mjedis konkurrues për biznesin, duke përshpejtuar edhe tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital. Së dyti, integrimi hap pas hapi në Tregun e Vetëm Evropian.
Njëmbëdhjetë muaj më parë, Shqipëria hyri në sistemin evropian të transaksioneve të parasë dhe pagesave. Gjatë këtyre 11 muajve janë përpunuar 788 mijë transaksione, me një vlerë prej 8.7 miliardë eurosh.
Kursimet e shqiptarëve, falë hyrjes në këtë sistem, arrijnë deri tani në 20 milionë euro, ndërkohë që potenciali është deri në 71 milionë euro kursime në vit, për qytetarët dhe bizneset shqiptare, vetëm nga ky integrim në një sistem të përbashkët. Regjimi i roaming-ut, i cili po lehtësohet për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor. Negociatat kanë nisur në tetor dhe synimi ynë është që, në vitin 2027, qytetarët tanë të përfitojnë tarifa të reduktuara roaming-u.”, tha Rama.











