Më 15 mars u përkujtua 17-vjetori i shpërthimit tragjik ku në Gërdec u vranë në fabrikën e demontimit 26 qytetarë të pafajshëm, punëtorë të fabrikës dhe banorë, teksa pati edhe qindra të plagosur.
Avokati Spartak Ngjela shprehu besimin se drejtësia vonon por nuk harron teksa theksoi se SPAK-ut i kishin ardhur prova të reja nga ndërkombëtarët.
“Gërdecin nuk e ka pasur që në fillim SPAK-u, se nuk ishte formuar. Tani të shikojmë se ka shkuar në aspektin juridik brenda SPAK. Unë them se do e çojë, nuk e ka shumë të lehtë, por është organizëm që ka ekspertizë ndërkombëtare. Po pret një ekspertizë të re ndërkombëtare dhe prova është provë. Ai është një ndër krimet më të rënda të 30 viteve të fundit. Tani që e ka marrë SPAK, në informacionet e mia kanë ardhur edhe prova të reja, se deri tani nuk kanë pasur besim te pushteti gjyqësor, kurse tani kanë më shumë e do vinë prova. Nuk ka rëndësi sesa do dënohen por të shohim a do dali e vërteta në skenë dhe a do dënohet ai krim? Unë them se po”, përfundoi Ngjela në Report TV.












