Rea Xhillari, vajza e bashkëshortes të kryeministrit Edi Rama ka kallëzuar në Gjykatën e Tiranës, Sali Berishën, me deputetët e tij: Luan Baçi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Edi Paloka, Edmond Spaho.
Kjo padi vjen pas akuzave që Berisha ka lëshuar në drejtim të Rea Xhillarit si përfituese të tenderave publike. Vajza e Linda Ramës thotë se është detyruar që të bëjë padi për shpifjet e fabrikuara ndaj saj, duke theksuar se Berisha vijon në mënyrë të herëpashershme të përgojojë emrin e saj në publik.
“Detyrohem të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të fabrikuar ka kohë ndaj meje që e ka fillesën në muajin gusht të vitit 2016, kur plot 8 vite më parë Sali Berisha më ka akuzuar se kam marrë pjesë dhe kam përfituar tendera publikë. Sipas individit për të cilin kërkoj kontroll gjyqësor, këta tendera i kam përfituar “nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E”, që në fakt është një studio arkitekture me qendër në Bruksel. Përgjatë këtyre 8 viteve, Sali Berisha ka vijuar në mënyrë të herëpashershme të përgojojë në publik emrin tim, duke më asociuar arbitrarisht me aktivitete, individë dhe përfitime pa asnjë lidhje me mua”, shkruan Rea Xhillari.












