E enjtja e sotme pritet të jetë me plot zhvillime që në mëngjes, pasi rreth orës 10:00 qytetarët kanë paralajmëruar se do të protestojnë para Ministrisë së Arsimit, njëkohësisht socialistët bëhen bashkë te Pallati i Brigadave ku pritet që kreu i qeverisë të bëjë disa ndryshime të kabinetit qeveritar.
Mbledhja e sotme e Ramës vjen një ditë pas takimit me drejtuesit politikë, ministrat dhe zëvendësministrat në një takim në Vilën e Kuqe në Tiranë, në fokus të të cilës ishin kalendarizimi i nismës “Prania Besnike” në çdo territor, si edhe puna për ndryshimet ligjore që lidhen me platformën “PasqyrAlbania”.
Nga ana tjetër, në ditën e 95-të të protestës, qytetarët njoftuan se duke nisur nga sot e tutje ata do të bëhen bashkë dhe gjatë paraditeve për të protestuar para ministrive të vendit. Për nisje të protestave të paradites protestuesit zgjodhën Ministrinë e Arsimit, ndërsa pritet që në vijim të zbarkojnë para secilës, duke kërkuar ndryshim rrënjësor të klasës politike.
Siç kemi raportuar, ndryshimi i parë i qeverisë Rama ndodhi dje pasi ministrja e Shëndetësisë Evis Sala dha dorëheqjen nga posti i saj, vendim ky i marrë për shkak të disa angazhimeve të saj ndërkombëtare. Sot pritet të t’u parë se cilat do të jenë ndryshimet që do të ndodhin në qeverinë Rama.












