Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dorëzuar kërkesën për gjykim për ish-ministrin, Fatmir Mediu.
Mediu akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim, si edhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
“I pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me proçesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007 “Per proçeduren e trajtimit te armeve, teknikes dhe pajisjeve te forcave te armatosura, te hequra nga armatimi dhe perdorimi, persa i perket shitjes per çmontim dhe çmilitarizim te nje sasie municioni”, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit”, thuhet në njoftimim e SPAK.












