Blerina Gjylameti sot u ul për herë të fundit si deputete e PS-së, pasi nuk arriti që ta mbante mandatin në zgjedhjet e 11 Majit.
Në një postim në Facebook, ajo shkruan se sot nuk largohet, por i hap rrugës një etape të re. Për të angazhimi qytetar nuk ka fund.
“Pas dymbëdhjetë vitesh si përfaqësuese në Kuvendin e Shqipërisë, ndjej sot nevojën të ndaj me ju disa mendime, ndjenja dhe reflektime.
Ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm. Më është dhënë mundësia të përfaqësoj zërin tuaj në Parlamentin e Shqipërisë, të jem pjesë e vendimeve që kanë ndikuar në jetën e shumë familjeve shqiptare, të mbroj vlera dhe të ndërtoj ura bashkëpunimi mes qytetarëve dhe institucioneve. E kam bërë me ndershmëri, përkushtim dhe pa u kursyer, sepse besoj se politika është, mbi të gjitha, shërbim dhe përgjegjësi.
Kam luftuar për barazi dhe më shumë mundësi për gratë, për të rinjtë, për familjet që kërkojnë mbështetje dhe për një shoqëri më të drejtë dhe më solidare. Kam besuar fort në idealin e një Shqipërie europiane dhe do të vazhdoj ta besoj këtë ideal, pavarësisht rolit tim institucional.
Mendoj se, edhe pse nuk do të jem më pjesë e Parlamentit, angazhimi qytetar nuk ka fund – sepse përkushtimi ndaj komunitetit nuk lidhet me një mandat, por është një mënyrë jetese.
Ndaj sot nuk largohem, por thjesht i hap rrugë një etape të re. Një fazë tjetër e shërbimit publik – ndoshta në një formë tjetër, por me të njëjtin pasion dhe me të njëjtat parime që më kanë udhëhequr deri më sot“, shkruan Gjylameti.












