Deputeti i PS, Erion Braçe ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që të mbrojë prodhuesit vendas të grurit, të cilët rrezikohen nga gruri i importuar nga Ukraina, produkt që vjen në treg me çmim më të lirë.
Braçe tha se këtë vit pritet një prodhim i madh prej plot 74 mijë ton grurë, kjo nxitur edhe nga vetë politikat të qeverisë. Ndërkohë sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, deri tani në vendin tonë kanë hyrë 54 mijë ton grurë.
“Gruri që vjen nga Ukraina është shumë më i lirë. Bullgaria, Hungaria, Polonia kanë ngritur shqetësimin për ardhjen e grurit nga Ukraina me çmime të lira. E kanë ndaluar që të mos dëmtohen vendasit, dhe e kanë lejuar të kalojë tranzit. Kemi diku te 74 mijë ton, por kjo është vetëm 1/3 e prodhimit që presim. Të mbrojmë bujkun. Bujku shqiptar rrezikohet për shkak të çmimit të lirë që ka gruri i ardhur nga Ukraina, ndërsa vende si Bullgaria, Rumania dhe Polonia kanë marrë tashmë masa për të lejuar kalimin e grurit ukrainas drejt vendeve të treta por duke e ndaluar për përdorim të brendshëm”, tha Braçe.












