Ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi në një takim me Policinë e Durrësit se nuk i interesojnë gjobat përballë bindjes së qytetarëve se duhet të respektojnë rregullat.
Balla kërkoi nga Policia Rrugore të jetë e kujdesshme në komunikimin me qytetarët, ndërsa kujtoi se efektivët nuk janë gjahtar gjobash.
“Policia Rrugore nuk është gjahtare shkelësish. Nëse një drejtues automjeti nuk ka të vendosur rripin apo përdor telefonin e lëvizshëm gjatë drejtimit, përpara se t’i kërkoni dokumentet, është detyrim të përshëndeteni me qytetarin, pyeteni çfarë halli ka që e shtyjnë të shkelë rregullat e qarkullimit rrugor, duke rrezikuar veten e të tjerët. Pra ajo që për ne ka rëndësi është siguria rrugore, është edukimi apo ndërgjegjësimi. Nuk është gjoba, qëllimi. Nuk më interesojnë “sukseset” e gjobave, por bindja e përgjithshme e qytetarëve se duhen zbatuar rregullat”, tha Balla.












