Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka prezantuar ditën e sotme në Kukës, prefektin e ri të qarkut, Albert Halilaj.
Në ceremoninë e zhvilluar, Balla shoqërohej edhe nga deputeti Pandeli Majko e zyrtarë të lartë vendorë.
“Ka ardhur koha për të rishikuar dhe ri-dimensionuar rolin e prefektit në kuadër të reformës administrative territoriale dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore”, tha Balla.
Duke folur rreth raporteve të prefektit me të zgjedhurit lokalë, Balla u shpreh se prefekti duhet të monitorojë vazhdimisht vendimet e marra nga këshillat bashkiake.
Prefekti i ri i qarkut Kukës Albert Halilaj u emërua në këtë detyrë nga Kryeministri Edi Rama më 19 korrik, pas lirimit nga detyra e ish-prefektit të qarkut Ali Hallaçi, kurse sot është prezantuar në krah të Taulant Ballës.












