Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se nafta e zbuluar në Shpirag është e një cilësie shumë të mirë, e njëjtë me atë që nxirret në Arabinë Saudite.
Rama tha se përgjigjja përfundimtare për naftën e Shpiragut do të jepet në tetor, por shtoi se nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve, investimi do të jetë 3-7 miliardë euro.
“Testi do të fillojë në tetor. Gjithë ajo rezervë për tu nxjerrë sipër duhet të hyjë në infrastrukturën përkatëse, për ta trasportuar dhe për ta nxjerrë në tregun vendas dhe të huaj. Nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë. Është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë. Burimet e naftës që është zbuluar më parë janë burime të një nafte të rëndë që përdoret për bitum apo solar, por nuk është një naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve. Sipas analizave të bëra në laboratorin e Holandës, nafta e zbuluar në Shpirag është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite. Investimi i parashikuar është 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, është 7 miliardë euro”, tha Rama.











