Kryeministri Edi Rama në një intervistë për median greke “ERT”, ka folur për çështjen e Himarës dhe arrestimin e Fredi Belerit.
I pyetur për “fatin” e Fredi Belerit, Rama u shpreh se mazhoranca nuk ndërhyn te drejtësia. Rama ka deklaruar se është duke e studiuar rastin “Beleri”, ndërsa u shpreh se do donte që vendimi për bashkine e Himares, të dilte nga Drejtësia, e jo nga “presioni i Greqisë”.
“Ne jemi duke studiuar rastin, pasi kur përfundon afati i 90 ditëve, normalisht sipas çfarë thuhet në ligj, qeveria duhet ta shkarkojë kryetarin e zgjedhur që nuk është paraqitur për të bërë betimin dhe duhet të caktojë një kujdestar deri në zgjedhje të reja. Mirëpo ky është një rast shumë specifik dhe për këtë arsye unë i kam kërkuar departamentit ligjor në Kryeministri që të japë opinionin se çfarë duhet të bëjmë ne dhe do të zbatojmë atë që është më e drejta. Unë do të isha me i lehtësuar nëse ne do të mundeshim që t’i linim procesit gjyqësor mundësinë të përfundonte dhe në fund të procesit të dinim nga drejtësia, jo nga Greqia nëse ky njeri (Fredi Beleri) është i fajshëm apo është i pafajshëm”, tha Rama.











