Drejtimi i presidencës në Këshillin e Sigurimit në OKB nga Shqipëria, është vlerësuar pozitivisht nga Uashingtoni.
I dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor është shprehur se Shqipëria ishte e shkëlqyer në OKB.
Në lidhje me këtë, analisti Skënder Minxhozi tha se drejtimi i presidencës në OKB, ishte një rol unik për kryeministrin Edi Rama. Sipas Minxhozit, Rama e interpretoi mbledhjen në mënyrë të drejtë.
“Natyrisht, roli i djeshëm i kryeministrit në kostumin e presidencës së Asamblesë së përkohshme të OKB, është një rol shumë i veçantë, unik në historinë tonë si shtet, si diplomaci, si politikë e jashtme. Mund të them se Rama e përjetoi dhe e interpretoi në mënyrë të drejtë, ngjarjen që të paktën një politikani shqiptar i vjen një herë në jetë. Rama interpreton drejt sipas qëndrimit të shtetit të tij, sipas qëndrimit të Aleancës Atlantike ku ne marrim pjesë dhe sipas qëndrimit dhe optikës së vendeve perëndimore, interpretoi një mbledhje ku u përplasën qëndrimet diametralisht të kundërta, ku Rusia e pa veten praktikisht të vetmuar përballë bashkësisë ndërkombëtare dhe ku vetë Rama pati një shkëmbim pikant batutash”, tha Minxhozi.












