Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar situatën kaotike që po kalon Shqipëria nga protestat e dhunshme.
I ftuar në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit, Bamir Topi tha se nëse sot ndodhemi në këtë pikë, përgjegjësia ka vetëm një emër: “Edi Rama”, i cili sipas tij, “duhet tê japë dorëheqjen”
“Ajo që ndodh në rrugët e Tiranës është epilogu i një ndryshimi dramatik që ka ndodhur ndër vite në raportin shtet-pushtet. Ju cituat faktin që unë kam qenë dëshmitar i një rrugëtimi të gjatë, qoftë si politikan, qoftë si qytetar i Tiranës, por edhe si president. Ajo që ndodhi në vitin 2008 ndryshoi për keq strukturën e shtetit. Pas kaq vitesh, shohim epilogun e një pushteti që ka nën kontroll totalisht shtetin.
Duke ardhur në studio, u azhornova me lajmet e fundit. Pra, policia ka depërtuar deri në lagjet periferike të Tiranës. Unë, qoftë në cilësinë e një qytetari të vjetër të Tiranës, qoftë në cilësinë e intelektualit, politikanit dhe ish-kryetarit të shtetit, po i drejtohem kryeministrit: “Zoti kryeministër Edi Rama, nëse Shqipëria ka ardhur në këtë pikë, ju jeni përgjegjësi kryesor”. E drejtoj gishtin pa hezitim, pasi vit pas viti, kur ai mori pushtetin, erdhi duke e rritur pushtetin e tij dhe sot kemi një kryeministër që dominon gjithçka. Unë jam një nga njerëzit që e kam dashur dhe e dua shtetin. Dënoj dhunën, por historia ka një origjinë”, tha Bamir Topi.












