Qeveria Rama ka propozuar miratimin e një projektligji ku parashikohen sanskione (gjoba) për të gjithë ata që nuk deklarojnë apartamentet që jepen me qira për turistët, përfshi këtu edhe ata me AirBnB.
Dhe në rast të mosdeklarimit, parashikohet një gjobë deri në 400 mijë lekë për pronarët e njësive akomoduese.
Në projektligj propozohet që pjesë e strukturave akomoduese të mos jenë vetëm hotelet, motelet, resortet, kampingjet apo dhomat e ofruara në agroturizëm, por edhe apartamentet që ofrohen nga qytetarët për akomodimin e turistëve që kanë në përbërje një dhomë, kuzhinë dhe të paktën 1 tualet.
Po ashtu pjesë e listës do të jenë edhe një bllok apartamentesh (2 ose më shumë) që menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik. Gjithashtu përfshihen edhe dhomat që jepen me qira për pushuesit, pavarësisht se janë brenda një ndërtese rezidenciale apo një ndërtese banimi.
Referuar projektligjit të gjitha strukturat akomoduese duhet të regjistrohen në QKR dhe brenda 30 ditësh duhet të aplikojnë për të marrë certifikatë pranë Ministrisë së Turizmit.












