Komisioni i Etikës, në një mbledhje online, ka vendosur të përjashtojë për 10 ditë nga punimet e Kuvendit 3 deputetë të opozitës, te cilet shkaktuan kaos në seancën e djeshme.
Kështu Ervin Salianji, Edmond Spaho dhe Petrit Doda nuk do të jenë pjesë e punimeve në Kuvend për 10 ditë, përfshi këtu mbledhje Komisionesh dhe seanca plenare.
Kërkesa në Komisionin e Etikës për përjashtimin e 3 deputetëve ishte firmosur nga 15 deputetë të Partisë Socialiste.
Në shkresë, është kërkuar përjashtimi për Ervin Salianjin, i cili sipas PS është ndihmuar dhe nga deputetët, Petrit Doda dhe Edmond Spaho, duke zaptuar foltoren dhe përdorur flakadanë.
Që në nisje të seancës së djeshme deputetët e PD-së flaken dhe shkatërruan të gjitha karriget duke i grumbulluar në foltore. Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të ketë jetë parlamentare normale.












