Kryeministri, Edi Rama, ishte mysafir i Kombëtares shqiptare. Ai u shfaq pranë ekipit së bashku me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, duke i uruar skuadrës suksese para ndeshjes me Moldavinë, e vlefshme për kualifikuese e “Euro 2024”.
Si zakonisht, Rama shfaqet sa herë kuqezinjtë korrin suksese, ashtu sikurse këtë herë janë mjaft pranë kualifikimit në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.
Rama deklaroi se e parashikoi këtë sukses të madh të Kombëtares që në fillimet e kualifikueseve.
“Të them të drejtën, që kur ju kam parë juve në fillim, i thashë që mbaje mend që kjo punë ka për të shkuar mirë, sepse këta luajnë futboll. E them këtë në kuptimin që mbajmë topin. Kemi bërë edhe disa fitore më parë, por top nuk kemi mbajtur me thënë të drejtën. Tani jeni përzier mirë, disa me eksperiencë, disa të rinj, kështu që unë erdha vetëm që t’ju shoh, t’ju uroj sukses. Unë shpresoj shumë të shkojë mirë. Detyrat e juaja ju i dini vetë, nuk ka nevojë t’ua tregoj unë e t’ju flas unë. Ju e keni nderuar këtë fanellë deri tani, e keni rrit shumë stekën dhe pritshmëritë”, u shpreh Rama.












