Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të Shërbëtorit Publik të Inteligjencës Artificiale, “asistenti virtual 1.0”, tha se kjo teknologji do të jetë në ndihmë të qytetarit shqiptar në “e-Albania”.
Rama nënvizoi se brenda vitit 2024 do të jetë “live” asistenti virtual 2.0, i cili do të shfaqet edhe me zë e me figurë dhe do ta bëjë vetë të gjithë procesin e aplikimit për llogari të qytetarit.
Rama sqaroi se një shërbëtor publik do të jetë në dispozicion të çdo qytetari, në çdo orë të ditës dhe të natës, për marrjen e shërbimeve në “e-Albania” ku s’ka më nevojë për asnjë ndihmë tjetër për këdo që aplikon për një shërbim.
“Këtë duhet ta shtrijmë edhe në platformën e bashkëqeverisjes. Asistenti që sot hyn në marrëdhënie me qytetarët, por përgatitet që pas një periudhe njohje me ta të hyjë në ndërveprim me zë dhe figurë dhe të mos jetë ndihmësi që i ndihmon ata për aplikimin, por personi që kryen procedurën. Do vijë dita kur qytetari do të kërkojë shërbimin dhe të gjithë proceset do të bëhen nga shërbëtori publik personal. Qytetari do marrë dokumentin përkatës”, u shpreh Rama.












