Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një tjetër ndryshim në kabinetin qeveritar.
Rama njofton se ka shtuar Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-korrupsionin dhe në krye të saj ka emëruar Adea Pirdenin.
“Në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, pasi sapo ka hedhur me sukses hapin e parë të tyre, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike. Po ashtu është e udhës që politikat anti-korrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit. Sot do t’i dërgoj Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni, e cila ka kryer 3 vjetët e fundit rolin e zv.ministres së drejtësisë dhe ka spikatur me profesionalizmin e saj“, shkruan Rama.












