Kryeministri Edi Rama është shprehur se situata e rëndë që po kalojnë kompanitë fasone në Shqipëri, nuk vjen si pasojë e forcimit të lekut kundrejt euros, por si pasojë e shfrytëzimit nga këto kompani të krahut të lirë të punës.
Rama tha se kompanitë fasone duhet të adaptohen dhe të ndryshojnë lojën dhe shtoi se subvencionimi nga ana e qeverisë nuk është zgjidhje për këto kompani.
“Është e dhimbshme situata e kompanive fasone në Shqipëri. Por kjo mjafton t’i referohemi asaj çfarë ka thënë Delina dhe unë për këtë ditë që do vinte. Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur. Kush e ka kuptuar, apo nuk i ka marrë masat për t’u adaptuar, sot e ka të pamundur të mbijetojë. T’i kërkosh qeverisë të të japë serume është gabim, sepse nuk ka serum që të shpëton. Qeveria nuk mund të përdorë taksat që të zgjasë agoninë e një organizmi që nuk e kthen dot më në jetë, është një vdekje klinike e sigurt”, tha Rama.












