Ekipi i Manchester Cityt ka ndarë në faqen zyrtare të klubit pamjet si do të duket shkolla e futbollit që pritet të hapet në qytetin e Durrësit në vjeshtën e vitit 2024.
Objekti i ri do të përdorë metodologjinë e stërvitjes së ekipit të Manchester City-t për të ofruar edukim futbolli të klasit botëror për lojtarët e rinj. Kjo është shkolla më e fundit nga tetë shkollat e futbollit që Manchester City ka në nivel global.
“Përveç Shkollës së Futbollit, Ministria Shqiptare e Arsimit dhe Sportit po lançon gjithashtu një Akademi Elite në vjeshtën e vitit 2024 për të ofruar një shteg për futbollistët vendas që aspirojnë të arrijnë nivelet më të larta të lojës. Akademia do të ndërtohet duke përdorur konsulencë nga City Football Group, organizata mëmë e Manchester City”, thuhet në njoftimin e klubit anglez.












