Segmenti i tretë i aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit të 8 vijon punimet, të cilat kanë arritur në 5.5% të totalit. Gjatë inspektimit të tyre, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se ky projekt do të finalizohet me një dalje të re në Maqedoninë e Veriut, përmes një tuneli.
Ministrja bëri të ditur se me Bypass-in e Elbasanit, vendi do të ketë shumë përfitime, ku përveç eleminimit të trafikut do të nxisë edhe zhvillimi ekonomik i zonave përreth.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi tha se në Lotin 3 do të ndërtohet ura më e lartë në gjatësi prej 300 m.
Aksi Elbasan-Qafë Thanë do të ketë një kontribut të shtuar në zhvillimin e turizmit duke shkurtuar ndjeshëm distancën kohore të udhëtimit. Sipas ARRSH, Korridori Tetë pritet të marrë formë përfundimtare brenda 4 vitesh.












