Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë me kryebashkiakët, është ndalur te largimet brenda vendit, duke iu përgjigjur dhe pyetjes së gazetares për klasat kolektive në shkollat me pak nxënës.
Rama foli dhe për largimet e të rinjve nga Shqipëria, ku u shprej se duhet të mësohemi me këtë ide sepse jemi vend i lirë. Ndalimi i tyre, tha ai, nuk është çështje e qeverisë.
“Nëse do të shikoni planet e vendeve të zhvilluara si Italia, Gjermania, nëse do të shikoni radhën e shteteve të BE në derën e agjencisë së punësimit në Filipine, është radhë lufte. Europa është futur në një luftë për krah pune. Që shqiptarët largohen, duhet të mësohemi, sepse jemi vend i lirë, jo bunker. Shqiptarët janë qenie kurajoze, dinamike që duan të shohin lart e më lart. Ndalimi i ikjeve nuk është çështje e qeverisë. Nuk jemi për të ndaluar ikjet, por për të krijuar kushtet për qytetarët”, tha Rama.












