Disa qytete të Shqipërisë u mbuluan nga pluhuri saharian të mërkurën, duke shkaktuar një ndotje të madhe të ajrit.
Meteorologia Lajda Porja ka shpjeguar shkaqet e kësaj dukurie dhe theksoi se tashmë ajri është pastruar.
“Kemi kaluar një javë tejet dinamike, një të mërkurë dhe të enjte e cila ka sjellë pluhurin saharian. Kanë qenë në sasi të konsiderueshme për shkak se ka pasur stuhi të forta ere si pasojë e një cikloni të zhvilluar prej shumë ditësh në gadishullin iberik, duke sjellë stuhi ere deri në pjesën veriore të Afrikës, që morën me vete masivitet të rërës së Saharasë dhe janë shpërndarë në pellgun e Mesdheut. Ishte një ndotje e përkohshme e ajrit. Në Shqipëri Shkodra, Lezha, Elbasani dhe Tirana kanë qenë zonat ku ka patur më shumë grimca të rërës. Nuk është ndonjë ndotje e cila shkon gjatë, problematike situate do të ishte nëse qëndronin shumë gjatë. Aktualisht sot jemi në një ajër të pastër, mund të ketë grimca të papërfillshme që mund të kenë ngelur”, tha Porja.












