Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur akuzave të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili foli për lidhjet e politikës shqiptare me krimin.
Rama iu përgjigj “dhëmbë për dhëmbë” Arben Ahmetajt për të cilin tha se “u përdor si hero i shfaqjeve figura të errëta një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u”.
Rama theksoi se dokumentari i turpshëm italian bashkëpunoi me një grusht shqiptarësh “pa atdhe dhe pa fe”, duke iu referuar opozitës së Non Gratës.
Edi Rama: “Italianët në bashkëpunim me një grusht shqiptarësh pa atdhe, pa fe, pa din e as iman, që jo nuk e bindin dot popullin këtu megjithëse shajnë e shpifin ditë-natë prej vitesh të tëra, po vetëm humbasin e diskreditohen përditë në sytë e tij, RAI 3 dha dy shfaqje të neveritshme të një gjasme gazetarie investigative.
U përdorën si heronj të shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga gjykata speciale antikorrupsion, një i përjashtuari nga Vetingu në sistemin e drejtësisë.
Por në fund shfaqja që dukej si një çorbë tik-toku, qep, shqep e bashko fjalë e imazhe sipas skenarit, nuk tha asgjë të re përveç jashtënxjerrjeve të ujrave të zeza të politikës Non Grata e të kanaleve mediatike që i shërbejnë asaj llumpolitike”












