Aksi Thumanë – Kashar do të hapet më 30 qershor. Lajmi i bukur u konfirmua nga kryeministri Edi Rama i cili mbrëmjen e sotme zbriti në terren për të parë punimet të cilat janë drejt finalizimit.
Puna për ndërtimin e urave, mbikalimeve e nënkalimeve, ka përfunduar plotësisht. Ndërkohë që gjatë qershorit lidhen kontratat për segmentet Kashar – Lekaj – Fier dhe Thumanë – Milot, si edhe hapet gara për segmentet Milot – Balldren dhe Balldren – Muriqan, të cilat plotësojnë të gjithë trupin e Korridorit Blu, si pjesë e unazës europiane të turizmit mesdhetar.
Ky aks përmban disa vepra arti, 11 ura, 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe ndërtimin e dy nyjeve të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksion rrugor Tiranë-Durrës.












