Kryeministri Edi Rama paralajmëron ndryshime të tjera në Partinë Socialiste, duke theksuar se nevoja për të shkuar drejt ambicies së shpallur për “Shqipërinë 2030”, do të kërkojë ndryshimin e gjeneratës aktuale.
Teksa ju fliste të rinjve socialistë që kanë shprehur dëshirën për t’ju bashkuar radhëve të kësaj force politike përmes platformës “Deputeti që duam”, Edi Rama u shpreh se ekipi që e solli Partinë Socialiste në pushtet në 2013 i stërviti muskujt në opozitë.
“Kur unë erdha në krye të PS, e filluam një ndryshim të gjeneratës që zinte vendin kryesor në gjithë nivelin vendimmarrës të PS. Faktikisht, PS e cila fitoi zgjedhjet e 2013, ishte një parti që vinte me fuqinë e atij ndryshimi gjenerate. Ajo gjeneratë për gjithë këto vite ka qenë gjeneratë dominante në PS. Natyrisht që Partia Socialiste e 2013, kishte shumë të rinj dhe të reja që për hir të së vërtetës, patëm fatin, se unë e quaj fat, për ata që kanë ambicie dhe e kanë thirrjen e brendshme të politikës që t’i krijonin muskujt e tyre në opozitë. Ndërkohë, që për Partinë Socialiste të 2030 sfida është që ndryshimi i gjeneratës të bëhet në kohën që ne jemi në qeverisje. Partia që fitoi zgjedhjet e para dhe që fiton prej atëherë çdo zgjedhje, është një parti e cila ka bërë jashtëzakonisht shumë për këtë vend, përmes fuqisë në qeverisje” u shpreh Rama.












