Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore tregoi se çfarë duhet të bëjmë në mënyrë që makina mos “shpërthejë” në flakë gjatë ecjes.
Eksperti thotë se shoferët gjatë udhëtimeve malore duhet të hedhin vazhdimisht vështrimin tek kroskoti për të parë temperaturën e makinës, e cila nuk duhet të rritet mbi 90 gradë.
“Deri në 90 gradë është temperatura normale që duhet të ketë çdo automjet, kur kalon mbi 90 jep shenjë në kroskot që diçka nuk po shkon, nëse kemi një drejtues të vëmendshëm duhet patjetër të fikë makinën. Ka raste që hapin serbatorin dhe kjo është shumë e rrezikshme sepse shpërthen uji i nxehtë, duhet ta lëmë deri në 30 minuta derisa të ftohet. Janë disa akse si Llogaraja, Qafa e Muzinës ku ka malore të vështira disa kilometra, nëse nuk funksionon mirë pompa e ujit, duhet patjetër të përqendrohet vëmendja në kroskot që të shihet temperatura. Makinat benzinë gaz përbëjnë rrezik se shpesh mund të kemi rrjedhje gazi. Edhe në sistemin elektrik duhet pasur parasysh që të gjitha fijet elektrike, duhet të ruhen se mund të ndodhë që të zhvishen nga minjtë dhe krijojë kontakt”, tha eksperti për ‘Euronews Albania’.












