Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme dha lajmin e mirë se qeveria e tij po studion uljen e çmimit të energjisë elektrike, ku përfituesit kryesorë do të jenë pensionistët.
Nga Korça ku sqaroi skemën e pensioneve, Rama u shpreh se kjo bëhet për shkak se rritja ekonomike është e qëndrueshme.
“Jemi duke studiuar edhe një ulje të çmimit të energjisë. Ajo që kam kërkuar nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është që pensionistët të përfitojnë patjetër një ulje, sado të vogël. Po bëjmë një studim si afekton kjo. Por duke qenë se ekonomia është në një rrugë të mbarë dhe shpresoj mos kemi larg qoftë ndonjë situatë që kemi kaluar. Rritja ekonomike është goxha e qëndrueshme, prandaj është koha të bëjmë këto diskutime dhe prandaj është koha që të fillojmë që nga kjo rritje ekonomike pensionistët të përfitojnë. Këtu duam të fusim edhe një koncept tjetër, që kur rritja ekonomike e parashikuar kapërcehet atëherë për cdo përqindje të rritjes ekonomike që është mbi parashikimin pensionistët të jenë përfituesit e parë”, tha Rama.












