Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky, nënshkruan një marrëveshje historike bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Sipas detajeve të publikuara nga presidenca ukrainase, kjo marrëveshje 10-vjeçare përfshin bashkëpunimin në prodhimin e armëve, shkëmbimin e informacionit të inteligjencës, forcimin e sigurisë detare dhe kibernetike, si dhe luftën kundër krimit dhe trafikut.
Një nga pikat kryesore të marrëveshjes është mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë për forcat e armatosura ukrainase. Kjo do të përfshijë programe trajnuese për pilotët dhe teknikët ukrainas, duke synuar forcimin e kapaciteteve të Ukrainës në fushën ushtarake.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i marrëveshjes është nisma për prodhimin e përbashkët të municioneve luftarake. Kjo pikë thekson angazhimin e Shqiperise për t’u përfshirë në industrinë e prodhimit të armëve, ndërsa kërkon një plan konkret për zbatimin e saj.












