Gjergj Luca, pronari i flotës së peshkimit “Rozafa”, ka treguar një incident të rëndë që ndodhi në vitin 2019 me një nga anijet e kompanisë së tij.
Sipas Lucës, anija po lundronte brenda ujërave territoriale shqiptare, në një zonë pranë trekëndëshit detar, kur u ndalua nga një gomone me ushtarë malazezë.
“Aksidenti më i rëndë që na ka ndodhur neve si Rozafë. Rozafa 13 ka qenë në një pikë, në cep fare që ne i themi trekëndëshi, ku ka qenë 12 milje nga Shëngjini dhe ka qenë drejt brenda ujërave tona. Këta kanë dalë nga Ulqini dhe kanë ndaluar barkën 100% në territor shqiptar. Ishin ushtarë me gomone. I shtinë sipër kokave, u futën brenda dhe i vunë kallashat në kokë: do vini me ne, s’do vini me ne.
Rojet tona bregdetare na thanë ju lutem mos lëvizni nga vendi sepse ne jemi nisur në drejtimin tuaj. Ishte nisur roja bregdetare e Durrësit, Për hir të së vërtetës nuk e di emrin e atij gjeneralit, por një burrë i jashtëzakonshëm, u shqetësua jashtë mase, ngriti problemin në qeveri. Për hir të së vërtetës mua më kërkuan falje dhe ambasadorit shqiptar I kërkuan falje që ishte agravuar problem. Janë sjellë shumë xhentilë, me përjashtim të atij momentit ballkanik, që ishte bajagi incident i rëndë” tha Luca.












