SPAK ka zhvilluar këtë të hënë një aksion në Elbasan, ku është arrestuar Leli Kaja, administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Sipas SPAK, arrestimi u krye nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar më 1 tetor 2026.

Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, dyshohet se Kaja i ka kërkuar dhe marrë 400 mijë lekë administratorit të një operatori ekonomik, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji në funksionin e administratorit të “ECO-ELB”.












