Drejtuesit politik të PS përpara Edi Ramës hapën zarfet me propozimet e kandidatëve për deputet.
Ditën e diel Kryeministri mbërriti në vilën qeveritare 30 në ish-Bllok për t’i dhënë formë skuadrës garuese të PS, në parlamentaret e 11 Majit.
Ky proces po mbahet hermetik brenda mureve të kësaj vile duke ia shtuar edhe më shumë “ethet” deputetëve aktual në pritje të rikandidimit, e më së shumti atyre të cilët për herë të parë aspirojnë për një vend në listë.
Brenda PS po diskutohet për një reformim të thellë nga Edi Rama i cili ka vendosur që pas “11 Majit” do të eliminohen mbi 60% e grupit aktual parlamentar socialist duke sjellë energji të reja.
Një gjë është e sigurt dhe e konfirmuar një ditë më parë nga Edi Rama: “Në listat e mbyllura do kemi djem, vajza dhe gra që janë forca e të resë, forca e gruas dhe forca e një Shqipërie që shikon përtej 2030”
Me shumë interes pritet të zbulohet se sa prej 300 aplikantëve që kaluan fazën e parë në platformën “Deputeti që Duam” do të mbërrijnë foto-finishin e hyrë në listë.
Një komponent i rëndësishëm në listë do të jenë edhe ata kandidatë të cilët do të përzgjidhen nga diaspora të cilës PS gjatë 4 muajve të fundit i ka kushtuar një vëmendje maksimale. Gjithçka do të finalizohet më 12 Mars nga ku miratimin e propozimeve të emrave do ta vulosë kryesia e PS.












