Një çift irlandez raportohet se kanë gjetur mbi 41 mijë euro në Durrës dhe më pas i kanë dorëzuar në Policinë e Shkodrës.
Blutë informojnë se çifti i kanë gjetur paratë pranë një supermarketi ‘SPAR’ në lagjen nr 13 të qytetit bregdetar. Ndërkohë në një video të publikuar në rrjetet sociale, shuma e parave dyshohet se u përkasin dy punëtorëve të një agjencie imobilare të cilët u kanë rënë paratë pasi kanë hipur në makinë. Pasi ata janë larguar, dy djem të rinj që po kalonin aty i kanë parë dhe i marrin.
Pak metra larg vendit ku kanë gjetur paratë, të rinjve u ka dalë para një burrë, i cili është paraqitur si turist irlandez dhe iu ka marrë paratë duke pretenduar se janë të tij. Pas bisedës me të djemtë ia kanë dhënë paratë e gjetura dhe largohen. Burri pasi i ka marrë i ka numëruar paratë dhe është larguar me gruan e tij, shkruan Report TV.
Ndërkohë një natë më parë çifti i ka dorëzuar paratë në policinë e Shkodrës. Kjo situatë ka ngritur shumë dyshime sepse nga një anë çifti mund t’i ketë marrë paratë të rinjve dhe më pas i ka dorëzuar në polici me qëllim që këta të fundit t’ia dorëzonin atij që u përkisnin ose hipoteza tjetër është që ata fillimisht kanë pretenduar t’i mbajnë për vete. Por në momentin që ndoshta kanë menduar se si do të dilnin nga vendi ynë me para të padeklaruara, e kanë parë të arsyeshme t’i dorëzojnë në polici.
“Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, janë paraqitur një çift irlandez, i cili ka dorëzuar një shumë vlerash monetare prej 41 400 eurosh. Shtetasi K. S., 42 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, shtetasja K. K., kanë deklaruar se shumën prej 41 400 eurosh e kanë gjetur më datë 26.03.2025, rreth orës 15:30, në afërsi të supermarket “SPAR”, në lagjen nr 13, Durrës. Me veprimet e metejshme do të merret Drejtoria Vendore e Policisë Durrës”, njofton policia.












