Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’u drejtohet drejtpërdrejt deputetëve të PS që nuk arritën të sigurojnë një mandat në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një mesazh të gjatë, por edhe praktik, Rama pranoi se humbja individuale nuk është asnjëherë e lehtë për t’u përballuar, duke e krahasuar atë me lojërat e fëmijërisë, ku ndjesia e mosqenies më “i pari” sjell natyrshëm pak mërzi.
Megjithatë, ai theksoi se kjo humbje duhet parë si një mundësi për një eksperiencë të re personale dhe profesionale.
“Dua t’u them vëllazërisht të gjithë atyre, që në shtator nuk do rikthehen në parlament, që unë ua u mirëkuptoj plotësisht mërzinë për humbjen e garës individuale. Nuk ka garë individuale që mund ta humbasësh pa u mërzitur. Edhe kur luan me fëmijët me top ke një moment mërzie, nëse kupton që s’je më ai i pari dhe ata nuk janë më aq të vegjël, prandaj u munde, por ju siguroj që nëse do ta shohin ‘’humbjen e vendit të punës’’ si një mundësi të re për një eksperiencë të re personale dhe profesionale në një vend tjetër pune, po në shërbim të të njëjtave qëllime të përbashkëta, si fitues të mandatit historik të 11 majit, atëherë, jo vetëm që do vazhdojnë të jenë shumë të dobishëm për këtë familje dhe për Shqipërinë, por do ta pasurojnë karrierën e tyre politike e profesionale“, tha Rama.












