I pranishëm në takimin e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët e vendit në Durrës ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda.
Kreu i qeverisë tha se shkarkimi i drejtuesve të policisë së Shkodrës, që u njoftuan dje nga Proda, është një mesazh edhe për të drejtuesit e qarqeve të tjera. Rama tha se vija bregdetare e Shqipërisë është dëmtuar nga ndërtimet pa kriter.
“Meqë këtu kam edhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Drejtor ajo që është bërë dje me shkarkimin e kreut të Shkodrës, dua ta ritheksoj që është shpresoj mesazh për të gjithë. Asnjë drejtor qarku nuk mund të justifikohet se nuk dinte gjë.Nuk bëhet fjalë me një tavolinë me 4 karrige, por për 40 ndërtime pa leje. Policia ka treguar se kur do di të shkojë edhe në majën e një mali kur një fshatar bën një avlli pa leje. Poshtë në bregdet, ku ndërtohen resortet ku merret dheu nga kantierët dhe bëhet deti si lumi i Lanës nuk e shohin. Të gjithë drejtorët e qarqeve shefat e komisariateve duhet ta dinë, për çdo ndërtim në formën e një pallati kur aty ka paligjshmëri“, tha Rama.












