Kryeministri Edi Rama i ka hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë pas shkarkimit të Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut.
Kreu i qeverisë ka dërguar tek Presidenti Bajram Begaj vakancën për Bashkinë Tiranë. Gjithashtu Rama ka dërguar vakancën edhe për 5 bashkitë e tjera, Berati, Tepelena, Cerriku, Mati dhe Vlora që janë pa kryebashkiakë.
Gjithashtu Kryeministria i ka dërguar një ditë më parë shkresë KQZ-së për shpalljen e vakancës në Bashkinë e Tiranës.
Në letrën zyrtare të depozituar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftohej për miratimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, më 25 Shtator, për shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt.
Pritet që Presidenti Bajram Begaj të shpallë datën e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë, në një kohë kur Erion Veliaj ka dërguar në Kushtetuese ankimimin për shkarkimin e tij.












