Kryesia e Partisë Socialiste, një nga organet më të larta të kësaj force politike, do të mblidhet pasditen e kësaj të marte.
Kryeministri dhe numri një i partisë që drejton vendin në mandatin e katërt radhazi, u ka kërkuar anëtarëve të mblidhen sot në seli.
Mbledhja do të nisë në orën 18:00 dhe për nga natyra, mendohet se do të jetë më shumë organizative, me drejtuesit e strukturave që pritet të marrin porositë dhe të dalin në terren për të kërkuar mbështetje për Ogerta Manastirliun.
Me shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe më pas Këshilli i Ministrave, gara për drejtuesin e ri të kryeqytetit është hapur zyrtarisht, ndërsa edhe Presidenti Bajram Begaj ka nxjerr një dekret zyrtar.
Edi Rama propozoi publikisht emrin e Ogerta Manastirliut në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, disa ditë më parë, duke u shprehur zyrtarisht se Tirana nuk kishte kohë për të humbur derisa Erion Veliaj të sqarojë problemet me drejtësinë.












