Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk kurseu ironitë ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës.
Manja tha se pas 35 vitesh në politikë, ishte hera e parë që Berisha ishte “i vërtetë”, pikërisht gjatë ngjitjes në mal, në Bjeshkët e Istogut.
Me ironi, Manja shtoi se Berisha zhvilloi një “dialog me kalin”, duke theksuar se mes pasioneve të rinisë dhe kujtimeve të moshës, triumfoi realiteti i viteve që kanë kaluar.
Sipas Manjës, në ato çaste Berisha u shfaq ashtu siç është në të vërtetë, larg politikës dhe retorikës së përditshme. Deputeti socialist theksoi se “Saliu i bjeshkëve” është ndoshta versioni më i sinqertë i ish-kryeministrit, ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, është “plot me gënjeshtra”.
“Tani ta dëgjojnë mediat dhe opinioni publik. Në 35 vjet Sali për herë të parë ke qenë i vërtetë kur u ngjite në bjeshkët e Istogut. Ti je njëlloj si unë kur ngjitesh në mal je si unë na flet shpirti e vërteta, i vërtetë ke qenë, i ndjek këto shëtitjet në mal. Aty ku zhvillove atë dialogun me kalin, mes pasioneve të rinisë që tu ndez zjarri përbrenda për të hipur në kalë dhe për të bërë xhiron të kujtosh rininë dhe moshën. Në këtë dyluftimin mes rinisë, malit, fëmijërisë, rinisë triumfoi te e dyta, mosha, e le kalin dhe ike në këmbë. Sali, atje është vërtetë, të tjerat i ka gënjeshtra. Tani këtë doja të them se duhet të dëgjojnë atë Salin e Bjeshkëve”, tha Manja.












