Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas zhurmës së krijuar në media lidhur me një video ku pretendohej se ai kishte kaluar lumin Lana për t’u larguar nga protestuesit që kërkonin ta dhunonin.
Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Balliu i ka hedhur poshtë pretendimet se është goditur, ndërsa ka deklaruar se bëhej fjalë për një përballje gjatë së cilës, sipas tij, janë sulmuar qytetarë.
“Me zhurmën e fundit mediatike të mediave të qeverisë, më duhet të sqaroj sa vijon: Pikë së pari, sot rreth orës 17:00, nga selia e PD kam denoncuar dhunën e tmerrshme dhe kriminale të ushtruar nga Policia e Shtetit drejt studentëve. Padiskutim kjo erdhi si rrjedhojë e një reagimi të detyrueshëm nga deklaratat e turpshme të Dhimitraq Ziut, i cili kërkonte të fshinte aktet kriminale të policisë kriminale të Edi Ramës ndaj studentëve. Së dyti, është e vërtetë që patëm një incident të mirëorganizuar nga operacionalja e policisë së Dhimitraq Ziut, Skënder Hitaj, Ilir Proda, Ergys Agasit dhe të gjithë banditëve të tjerë të cilët përdorin aty partitë e qorrave që sillen si opozitarë, por janë në shërbim total nga mëngjesi deri në darkë të mazhorancës dhe të Edi Ramës. Nuk ka diskutim që ata si të gjithë të tjerët do të marrin përgjigjen e merituar, siç kanë marrë shpesh herë, çdo bandit që ka dhunuar apo ka guxuar të përplaset me qytetarët e lirë të këtij vendi. Nuk është e vërtetë që më kanë goditur. Është e vërtetë që kemi pasur një përballje dhe janë sulmuar qytetarë në atë moment. Por e padiskutueshme që nuk ka skemë të operacionales, skemë të Edi Ramës, skemë të qorrave që do të vihen para përgjegjësisë, që do mund të më ndalojë mua apo Partinë Demokratike apo cilindo demokrat që do të mbështesim me të gjitha fuqitë studentët që po përballen me narko-regjimin e Edi Ramës”, ka thënë Balliu.












