Sali Berisha në një deklaratë për mediat pas mbledhjes me demokratët në selinë blu, ka folur për aksionin opozitar dhe hapat që do të ndërmarrë opozita.
Sali Berisha tha se demokratët nuk do të bojkotojnë mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe seancat plenare ndërsa theksoi se do të bëjnë të gjitha përpjekjet e domosdoshme për rikthimin e parlamentit dhe funksionimin e tij mbi baza të Kushtetutës dhe ligjeve.
“Vendimi është i prerë, do të bëhet çdo përpjekjet e domosdoshme për rikthimin e parlamentit dhe funksionimin e tij, mbi baza të Kushtetutës dhe ligjeve. Pra, nëse sot për sot, parlamenti funksionon i tëri jashtë përcaktimeve të Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit; Sot për sot, parlamenti është një instrument opresiv ndaj opozitës; Sot për sot parlamenti është një instrument opresiv ndaj qytetarëve shqiptarë, nuk shpreh më, nuk merret me të drejtat e qytetarëve shqiptarë, me interesat e tyre, dhe siç keni parë ju, pas 10 seancash është bllokuar debati në 9 seanca dhe është lejuar në vetëm në 1 seancë. Ndërkohë deputetët tanë kanë qenë në çdo mbledhje të Komisioneve parlamentare. Kanë shqyrtuar ligje dhe vendime me seriozitetin më të madh. Absolutisht do të përdorim të gjitha mjetet, gjersa parlamenti të funksionojë. Bojkoti nuk është opsion. Ne e kemi të ndaluar bojkotin.”-tha Berisha.












