Kryeministri Edi Rama tha se kurrë nuk e kishte imagjinuar se të kthehej në Universitetin e Arteve si kryeministri i Shqipërisë.
Më tej, ai theksoi se 35 vite më parë, gjithashtu nuk kishte dëshiruar kurrë që të merrej me politik.
“As nuk e kam imagjinuar kurrë që mund të kthehesha këtu në këtë podium në funksionin që jam sot. As nuk e kam imagjinuar kurrë që do merresha ndonjëherë me politikë në kuptimin e përditshëm të fjalës. Ka qenë liria nuk ka qenë ambicia politike. Unë nuk kisha absolutisht asnjë dëshirë të merresha me politikë të përditshme në kuptimin që të angazhohesha në një parti. Natyrisht po të doja e kisha mundësinë, por s’kisha asnjë dëshirë që të angazhohesha drejtpërdrejt dhe të merresha me politikë të përditshme. E shihja vetëm si një përmasë lirie për të cilën kisha nevojë dhe jo rastësisht ajo fara e parë e një procesi që pastaj u përshkallëzua jashtë mureve ose jashtë oborrit të kësaj akademie, ose e institutit, sot i thonë Universiteti i Arteve, u hodh këtu. Sepse këtu dhe posaçërisht në pjesën që kishte të bënte me artet pamore, apo me pjesën që kishte të bënte me teatrin muret e censurës, muret e izolimit, muret që kufizonin lirinë ndiheshin shumë konkretisht dhe ndiheshin çdo ditë”, tha Rama.












