Kryeministri Edi Rama foli për raportin me babain e tij, Kristaq Ramën. Ai u shpreh se pavarësisht se ai kishte autoritet, nuk i ka ndikuar asnjëherë në mendime.
Ai rrëfeu se është rritur edhe me gjyshen dhe se ka qenë shumë i lidhur me të. Po ashtu, nuk la pa treguar edhe një nga gjërat që ia ka thënë gjyshja dhe që e mban si pikë referimi për veten e tij.
“Tim eti i detyrohem një gjë shumë të madhe që pavarësisht se ishte një njeri me autoritet nuk e ushtronte asnjëherë autoritetin e tij për të të thënë që mendo si mendoj unë. Ne ishim në një shtëpi ku unë dhe gjyshja faktikisht flinim në një dhomë. Ishte një dhomë e vogël dhe kishim dy krevatë. Unë zgjohesha me gjyshen, flija me gjyshen. Dëgjoja gjyshen nga mëngjesi. Prindërit ishin shumë kërkues, por unë isha içik më ndryshe dhe isha içik më hall. Pasi zhvillohej një konflikt mes meje dhe prindërve, siç i ndodh të gjithë fëmijëve kërkoja strehë te gjyshja sepse me gjyshen ishim shumë të afërt. Dhe gjyshja ime thoshte dhe kishte një mënyrë shumë origjinale për të më ngushëlluar. Më thoshte, shiko mos u mërzit, prindërit bëjnë detyrën e tyre, kjo është detyra e tyre dhe duhet ta bëjnë. Duhet të të thonë ty çfarë bëre gabim. Nga ana tjetër ti do bëhesh burrë dhe burrat të gjithë bëjnë gabime, kështu që do bësh gabime, do bësh gjëra për të cilat të tjerët nuk do jenë të kënaqur vetëm të lutem thoshte mos harro asnjëherë që shumë njerëz do takosh në jetë, shumë gjëra do të të thonë, por takimi më i rëndësishëm është ai që do bësh të fundit”, tha Rama.












