Në ditën e dytë të vitit, reshjet e dëborës janë rikthyer në zonat veriore dhe jug-lindore të Shqipërisë.
Juglindja e vendit është përfshirë nga reshjet e dëborës të cilat janë prezente në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, në zonën e Mokrës dhe rrugën Qukës – Qafë Pllocë.
Temperaturat në juglindje të vendit shënojnë deri në -7 gradë celsius ndërsa policia e qarkullimit rrugor ndodhet në terren duke këshilluar drejtuesit e mjeteve për kujdes të shtuar, uljen e shpejtësisë dhe pajisjen me goma dimërore.
Policia ka njoftuar të gjithë qytetarët që do të udhëtojnë drejt Korçës ose Qafë Thanës të tregohen shumë të kujdesshëm dhe të jenë të pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë për të shmangur aksidentet.
Ndërkohë që bora e parë e vitit 2026 ka zbardhur edhe Librazhdin, duke krijuar pamje dimërore dhe duke sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave. Reshjet nisën që në orët e vona të natës, duke mbuluar rrugët, çatitë dhe zonat përreth me një shtresë të bardhë bore.












