Kryeministri Edi Rama ishte në ambientet e Vilës 31, e cila një natë më parë u godit me bomba molotov nga tubuesit gjatë protestës së opozitës.
Kreu i qeverisë tha se gjeti në ish-shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha artistët vendas, nga Kosova, por edhe të huaj, të traumatizuar.
Ai tha se autorët që hodhën bombat e molotovit janë të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë. Nuk la pas ironinë ndaj kryedemokratit Sali Berisha dhe deputetëve të Partisë Demokratike.
“Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme. Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush”, shkruan Rama.
Ai akuzoi Partinë Demokratike se në selinë e saj bën plane dhunë dhe bomba artizanale. Ndërkohë që bëri bashkëpërgjegjës gjykatësit që liron autorët.
“Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale! Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj”, shkruan Rama.












