Ka përfunduar pas afro 4 orësh mbledhja me dyer të mbyllura e kryeministrit Edi Rama me deputetë dhe ministra në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
“Informohuni në detaje për procesin e integrimit në BE! Flisni me njerëzit”, mësohet se ka qenë porosia kryesore e tij.
Kreu i qeverisë e ka deklaruar shpesh se sfida kryesore në këtë proces, që po ecën me ritëm të shpejtë, është siguria ushqimore. Sigurisht, ka kërkuar punë intensive në këtë drejtim.
“Flisni me fermerët dhe bizneset”, mësohet të ketë thënë Rama.
Rama u ka kërkuar po ashtu deputetëve të jenë aktivë në rrjetet sociale, ku bëhen publike punët e realizuara në qytete. I rëndësishëm për numrin një të kabinetit mbetet bashkëpunimi i ngushtë mes socialistëve, me prioritet zgjidhjen e problematikave të qytetarëve.












