Një aksident i rëndë është shënuar mëngjesin e kësaj të premte në autostradën Tiranë-Durrës, në drejtim të qytetit bregdetar.
Nga informacionet e deritanishme mësohet se në aksident janë përfshirë disa automjete, ndërsa menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe forcat e policisë rrugore si dhe autoambulanca. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka ende informacion zyrtar mbi shkaqet e aksidentit, apo nëse ka persona të lënduar apo viktima.
Ngjarja ka krijuar një situatë të rënduar trafiku në një nga akset më të frekuentuara të vendit. Si pasojë e bllokimit të pjesshëm të rrugës, në drejtim të Durrësit është formuar një radhë kilometrike automjetesh.
Në videon e siguruar nga Newsbomb duken qartë kolonat e gjata të makinave që presin të kalojnë, ndërsa në segmentin ku ka ndodhur aksidenti vijon prania e shtuar e policisë dhe shërbimeve të emergjencës.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje mbi rrethanat e ngjarjes dhe gjendjen shëndetësore të personave të përfshirë në këtë përplasje.












