Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duket se do të vijojë punën për riformatimin dhe ristrukturimin e plotë të institucionit.
Mësohet se Hita ka hapur garën për tre departamente kyçe në Policinë e Shtetit: Policinë Kriminale, Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Kufirin e Migracionin.
Sipas burimeve të “A2 CNN”, ndryshimet pritet të prekin edhe drejtuesit e disa qarqeve, në kuadër të riorganizimit të strukturave policore. Mes emrave më të përfolur janë Ervin Hodaj për drejtimin e Policisë Kriminale dhe Idajet Faskaj për Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Mësohet se kryepolici pritet të bëjë ndryshime në Departamentin e Policisë Kriminale, i cili konsiderohet si një nga strukturat më të rëndësishme të Policisë së Shtetit dhe drejtohet prej afro katër vitesh nga Neritan Nallbati. Sipas burimeve, pikërisht Ervin Hodaj është kandidati më potencial për të marrë këtë post.
Ndryshime pritet të prekin edhe Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili drejtohet që prej vitit 2020 nga Pëllumb Seferi. Vendin e tij pritet ta zërë Idajet Faskaj, i cili do të kandidojë për këtë post.
Po ashtu, ndryshime pritet të ketë edhe në drejtimin e qarqeve të Beratit, Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës dhe Durrësit.












