Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së këtë të enjte, ka paralajmëruar ndryshime të mëtejshme në strukturat e partisë.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal te procesi i ripërtëritjes së opozitës, duke e cilësuar atë si një nga proceset më të rëndësishme për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe përballjen me qeverinë.
Sipas kryedemokratit, ripërtëritja e partisë duhet të nisë nga vetë drejtuesit e partisë dhe të shtrihet në të gjitha nivelet e strukturave.
Sali Berisha: “Kundërshtari ynë ka 29% rënie në sondazhe, pra është në vdekje politike. Edhe ndërkombëtarisht, Edi Rama ka vdekur politikisht. Është shkonfiguruar. U shpërbë. U shpërbë para syve të opinionit publik ndërkombëtar se shqiptarëve po e po. Çdo gazetar që hyri në zyrën e tij, doli i bindur se ky është i skaduar. Ky është i shpërfytyruar. Ai ka vdekur politikisht.
Të gjitha këto duhet të frymëzojnë çdo demokrat, por mbi të gjitha duhet t’i japin motivimin për të çuar përpara procesin më jetik që kemi nisur, ripërtëritjen. Miq, ka një gjë në themel. Si duhet ta kuptojmë ne ripërtëritjen? Secili nga ne. Një ripërtëritje të vetvetes në radhë të parë. Partia Demokratike ka një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor. Ka personalitete me merita, ka drejtues të sprovuar. Por ka vetëm një kusht që këta të qëndrojnë në krye të misionit të tyre: ripërtëritje. Dhe duhet ta pranojmë këtë.
Kush do ta bëjë ripërtëritjen thoni ju? Ju do ta bëni ripërtëritjen. Kjo është. Si do ta bëjmë? Do ta fillojmë nga vetja ripërtëritjen dhe do ta shtrijmë në të gjitha nivelet. Natyrisht, epiqendra e ripërtëritjes është anëtari i saj. Në epiqendër të ripërtëritjes të Partisë Demokratike do të jetë anëtari, roli, hapësira e tij. Pra, unë kam shumë besim të plotë te secili prej jush, tek të gjithë drejtuesit lokalë që nuk janë në këtë mbledhje, që me krenari do të mirëkuptohen, do të angazhohen në këtë proces. Partia ka nevojë jetike.
Miq, Kuvendi Kombëtar në këtë frymë ripërtëriu Këshillin Kombëtar, Kryesinë, por këto nuk mjaftojnë. Duhet shtrirje kapilare e ripërtëritjes. Duhet dimensionim i këtij koncepti, qoftë numerik, qoftë hapësinor, qoftë funksional. Të mos harrojmë, anëtarësia e Partisë Demokratike për nga numri është shumë e madhe, janë 40-50 mijë anëtarë. A mund të kënaqemi ne me kaq? Ndonëse janë një potencial i madh, po s’mund të kënaqemi ne me kaq. Në dy aspekte s’mund të kënaqemi ne. Së pari, me shkallën e aktivizimit të tyre. Së dyti, me ripërtëritjen e radhëve të tyre me anëtarësime të reja, me vlerat e reja. Nuk pranohet më letargji në radhët tona. Jo!”












