Videot intime që janë shpërndarë në rrjetet sociale, ku pretendohet se shfaqet kompozitori Adrian Hila me disa personazhe të njohura të showbizit, vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes.
Kompozitori është kontaktuar nga policia dhe ka bërë me dije se do të paraqitet ditën e nesërme në komisariat për të dhënë deklarimet e tij, pasi aktualisht nuk ndodhet në Tiranë.
Hila ka deklaruar se është edhe vetë i prekur nga ngjarja, duke pretenduar se videot janë hakuar dhe janë publikuar pa dijeninë e tij. Ndërkohë, gazetarja e “Top Channel” Dorjana Bezat bën me dije se policia ka kontaktuar edhe katër prej personazheve publike që pretendohet se shfaqen në videot e publikuara.
Sipas gazetares, dy prej tyre kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me policinë, ndërsa dy të tjerat, për shkak të gjendjes së rënduar emocionale, nuk kanë qenë në gjendje të paraqiten në këtë moment për të dhënë deklarimet e tyre.
Materialet intime vijojnë të jenë objekt verifikimi nga strukturat e Policisë, ndërsa hetimet pritet të hedhin dritë mbi mënyrën se si videot janë siguruar dhe shpërndarë në rrjet./ Top Channel












