Partia Socialiste ka bërë të qartë qëndrimin e saj lidhur me hetimin ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni.
Socialistët kërkojnë që çështja t’u lihet në dorë institucioneve të drejtësisë, duke shmangur çdo përfundim konkret pa u shprehur zyrtarisht SPAK-u. Në radhët e shumicës theksohet se çdo dyshim i arsyeshëm duhet të zbardhet përmes një procesi të pavarur hetimi dhe gjykimi, pa ndërhyrje institucionale apo politike.
“Ta lëmë sistemin të bëjë punën e vet. Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, por askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, thuhet në qëndrimin e PS-së për këtë çështje, e cila prej ditësh ka tërhequr vëmendjen publike.
Partia Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat në Parlament për hetimin ndaj Hysenit, por PS-ja e kundërshton ndërhyrjen e Kuvendit, duke argumentuar se materialet hetimore të bëra publike në mënyrë sporadike nuk duhet të përdoren për të ndikuar opinionin publik apo për të paragjykuar përfundimin e hetimit.
Sipas shumicës, vetëm përmes një procesi të plotë hetimor dhe gjyqësor mund të përcaktohet nëse ka pasur shkelje dhe nëse ato kanë sjellë pasoja që lidhen me sigurinë kombëtare apo me marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë.












